|
Register
Prenoto tani +355 22 600 005 Recepsion
+355 22 600 006 Recepsion
+355 69 20 41 007 Recepsion

Velipojë, përurohet kompleksi turistik "Grand Europa" Resort

Përmes një ceremonie mbresëlënëse të organizuar në bregdetin e plazhit të Velipojës, kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e kompleksit turistik "Grand Europa" Resort, ku krahas drejtuesve më të lartë të qeverisjes vendore, ka qenë i pranishëm edhe ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, Zv/ministri i Turizmit, Abaz Hado, Zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, etj.
"Me të vertetë e meriton emrin "Grand Europa" Resort, sepse është një investim, gjigand i cili është në harmoni të plotë me këtë bukuri të jashtëzakonshme natyrore të këtij rezervati të mrekullueshëm të lagunës dhe detit", tha ministri Panariti, pasi ka prerë shiritin së bashku me kryetarin e Komunës së Velipojës, Pashko Ujka. 
Më pas, ai tha se "ky resort, padyshim që i jep një vlerë të shtuar këtij mjedisi, është një resort i standardeve europiane, një resort elite dhe jam shumë i lumtur që Shqipëria tashmë po fillon erën e investimeve të tilla të mëdha domethënëse të përmasave të kësaj natyre, që siç e shikoni vetëm në ditët e para dhe ritmet janë vërtet të jashtëzakonshme, prandaj unë jam shumë optimist që resorti do të përfundojë edhe përpara afatit të caktuar".
Duke theksuar se ky resort është miratuar me vendim të qeverisë të fillim qershorit, ai shtoi se rëndësia e tij qëndron edhe tek një mundësi e mirë punësimi, sepse 1200 veta do të punësohen si pjesë e personelit të shërbimit të këtij resorti të jashtëzakonshëm.
"Si të thuash, kjo është dallëndyshja e parë e investimeve të përmasave të tilla, çka tregon se edhe në periudha të vështira të krizës ekonomike europiane, iniciativa private në Shqipëri vazhdon me planet e saj madhështore të investimeve të kësaj natyre, gjë që janë një inkuajim edhe për investime të tjera, të cilat do të ia ndryshojnë faqen vendit, do të zhvillojnë ekonominë, do të zhvillojnë turizmin dhe do të jenë premisa të ndryshimeve të tilla në të ardhmen", vijoi më tej përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, Edmond Panariti. 
Investimet e këtij kompleksi turistik të përmasave europiane, që do të shtrihet në 4.5 ha tokë me një vlerë prej 50 milionë lekësh, i parashikuar të përfundojë në një afat kohor prej dy vitesh e gjysëm është kompania e njohur "Xhenis" sh.p.k me qendër në Shkodër, me president zotin Agron Çela. Vendndodhja e tij është në grykëderdhjen e lumit Buna, dhe sipas projektit të hartuar, ai do të ketë në gjirin e tij, vila, rezidenca, hotele, kënde lojërash për fëmijët, terrene sportive, mjediset e pushimit e tjerë.

nga Gaspër Marku